Lajmet Lajmet Rajonale Lajmet Vendore Politikë Shoqëri Civile & Institucionet

‘Lëmshi’ i  Speciales

Që nga 6 dhjetori i këtij viti, Gjykata Speciale ka filluar shpërndarjen e ftesave të para për disa ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

I pari që ka pranuar ftesën nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar është Rrustem Mustafa – “Remi”, ish-komandant i UÇK-së i Zonës Operative e Llapit.

Ftesë të ngjashme kanë pranuar më pas Nazif Mehmeti, ish-epror i Zonës Operative të Llapit,  Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake, ish-pjesëtari i UÇK-së Safet Syla, pastaj Sami Lushtaku, ish- komandant i Zonës Operative të Drenicës, dhe Remzi Shala, ish-komandant i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut.

Mirëpo jo të gjithë thanë që do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Speciales.

Remzi Shala, i njohur me pseudonimin “Molla e Kuqe”, ka thënë që do të refuzojë këtë ftesë pasi që nuk e  njeh Gjykatën Speciale.

Ndërsa ajo çfarë ka ngjallur diskutim te njohësit e çështjeve juridike janë paqartësitë në përmbajtjen e këtyre ftesave duke filluar nga pagesat e mëditjeve deri tek ajo që të ftuarve u kërkohen dokumente të UÇK-së.

Lidhur me këto paqartësi, KALLXO.com ka kontaktuar avokatin Artan Qerkini, i cili ka thënë që është normale që të ftuarve në cilësinë e të dyshuarit t’i mbulohen shpenzimet.

“Sipas standardeve europiane nëse ende dikush e ka cilësinë e të dyshuarit është normale që të mbulohen shpenzimet e udhëtimit, akomodimit por edhe mëditjet ndaj një personi të dyshuar ndaj të cilit ende nuk është ngritur aktakuza sepse hetimi mund edhe të pushojë dhe rrjedhimisht personi të jetë i lirë dhe të ketë të drejtën e kompensimit”, ka thënë ai.

Ndërsa faktin se personave të ftuar u janë kërkuar që të sjellin me vete dokumentet, të dhënat dhe shënimet e çdo lloj tjetër informacioni që ka lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), avokati Qerkini e ka cilësuar të papranueshme.

“Është tërësisht e pranueshme dhe shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë që dikush të obligohet të sjellë çfarëdo informacioni që do të mund ta inkriminonte personin e ftuar si i dyshuar dhe praktikë e tillë është e padëgjuar ndonjëherë në praktikën juridike ndërkombëtare”, theksoi Qerkini.

Ndërsa për të gjitha këto paqartësi të krijuara nga ftesat e speciales, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga zyrtarët nga Dhoma e Prokurorit të Specializuar por këta të fundit kanë refuzuar të japin sqarime me arsyetimin se për shkak të parimeve etike nuk japin detaje.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar janë të vetëdijshëm që disa avokatë kanë njoftuar se klientët e tyre janë ftuar për intervista. Sidoqoftë, ne nuk deklarohemi për statusin e hetimeve për arsye profesionale, ligjore dhe etike”, ka thënë Chris Bennett nga Zyra për Informim e Prokurorit të Specializuar

Reagimet e krerëve të shtetit për ftesat e para

Lidhur me dërgimin e ftesave nga Gjykata Special ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili fillimisht ka thënë që këto ftesa nuk janë kjamet pastaj ka kërkuar që të ftuarit t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Speciales.

“Askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë. Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e shenjtë dhe kjo do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë. Qeveria e Kosovës do t’iu qëndrojë afër luftëtarëve të lirisë të të gjitha etapave dhe është gatshme në ëdo kohë të ofrojë ndihmën e nevojshme për mbrojtje juridike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Pas një heshtjeje disaditëshe, presidenti Hashim Thaçi ka thyer heshtjen.

Përmes “Facebook”-ut ka kërkuar nga ish-ushtarët e UÇK-së që t’i pranojnë ftesat e Speciales dhe të mos ikin drejtësisë.

Mirëpo çështja e Speciales nuk duket se ka ‘shqetësuar’ kryepalamentarin Veseli, i cili në rrjetin social Facebook është përkujdesur që të publikojë foto nga takimet që është duke i zhvilluar SHBA, por jo edhe për ftesat e Gjykatës Speciale për ish-bashkëluftëtaret e tij.

Iniciativa për krijimin e Gjykatës Speciale ka filluar në vitin 2010, ndërsa deputetët e Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 me shumicë votash votuan pro krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale u formua pas pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Europës Dick Martty që disa luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës shitën organet e të burgosurve gjatë konfliktit të fund viteve të 90-ta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *